Mbi 27 mijë maturantë po përgatiten për mbylljen zyrtare të shkollës së mesme, por edhe për orientimin e duhur drejt universiteteve. Matura shtetërore është në prag. Të rinjtë po punojnë me testet model që ka publikuar Ministria e Arsimit, në mënyrë që maturantët të familjarizohen me tezën dhe formatin e provimit, shkruan A2 CNN. Ndërsa në fillim të qershorit kanë sfidën e vërtetë: katër provimet që mbyllin ciklin parauniversitar, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë profesionin e së ardhmes.
Gjatë një takimi me një grup maturantësh, ministrja e Arsimit u garantoi atyre zhvillimin e një procesi të rregullt dhe të drejtë për të gjithë nxënësit.
“Testet model, që tashmë prej dy vitesh i japim për maturantët që në muajin janar, janë një mundësi shumë e mirë që të familjarizoheni me mënyrën e testimit për katër provimet e maturës. Ajo që është e rëndësishme këtë vit është se fondi i pyetjeve është riorganizuar, sepse edhe mësuesit e përfshirë në hartimin e tezave i kanë riparë me shumë kujdes. Nga ana tjetër, sa i përket administratorëve të testimit, do të jenë mësues në ambientet e përzgjedhura të testimit, dhe mbi 140 shkolla janë caktuar si qendra provimesh për maturën shtetërore. Janë të angazhuar mbi 640 vlerësues, pra mësues që do të korrigjojnë testet”, tha Manastirliu.
Ministrja foli gjithashtu për ndryshimin e mundshëm të formatit të provimeve të Maturës, duke theksuar se në të ardhmen pritet digjitalizimi i këtij procesi. Ajo rekomandoi që të rinjtë të ndjekin universitetet shqiptare dhe të shfrytëzojnë ofertat që ato ofrojnë.
“Mundësitë që ka sot Shqipëria për të ndjekur një edukim cilësor janë shumë më të mëdha se më parë. Universitetet tona janë tashmë të lidhura me universitete prestigjioze europiane. Për shembull, Universiteti Bujqësor i Tiranës është lidhur me Universitetin e Shkencave Natyrore BOKU në Vjenë. Brenda pak vitesh, diplomat do të jenë të unifikuara, sikur të kesh studiuar në Austri. Kemi gjithashtu programe të dyfishta dhe diploma të përbashkëta me universitete të huaja, përfshirë ato italiane, që ofrojnë të njëjtat standarde dhe njohje ndërkombëtare të diplomave”.
Provimet e maturës nisin më 3 qershor me gjuhën e huaj, vijojnë më 10 qershor me gjuhën shqipe dhe letërsinë, më pas më 17 qershor zhvillohet testi i matematikës, dhe më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje. (A2 Televizion)