Dhuna në familje në qarkun e Korçës, prej të paktën 3 vitesh, po shënon vit pas viti raste të shtuara, ku natyrisht viktima të dhunës janë gratë, por edhe fëmijët, shkruan A2 CNN. Psikologia tregon shkaqet e këtij fenomeni, por edhe presionin që përjeton viktima në rastet e denoncimit, çka e detyron më pas të tërhiqet.
Ndërsa për avokatin që ka ndjekur çështje të dhunës në familje në gjykatë, një tjetër shkak i tërheqjes së viktimave është pasiguria e tyre për vazhdimësinë e jetës së tyre dhe të fëmijëve.
Burime zyrtare pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës bëjnë me dije se gjatë periudhës janar - maj të këtij viti ka pasur më shumë se 95 raste të dhunës në familje. Në të gjitha këto raste, personat e dhunuar janë pajisur me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, ndërsa nuk mungojnë rastet e ripërsëritura të dhunës edhe pas pajisjes me urdhër mbrojtjeje. (A2 Televizion)