Në garë me kandidaten e rregullatorit audioviziv të Britanisë së Madhe OFCOM, me shumicë votash, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi është zgjedhur nënkryetare e Platformës Europiane të Enteve Rregullatore, EPRA.
Në mbledhjen e 59-të të EPRA-s, që po zhvillohet në Roterdam të Holandës, Krasniqi ka marrë mbështetjen e shumicës së 52 autoriteteve anëtarë të EPRA-s, të pranishëm në këtë mbledhje. Me 28 vota pro Krasniqit, kundrejt 21 votave të dhëna për kandidaten britanike, Siobhan Walsh, kryetarja e AMA-s është zgjedhur për të qenë një nga nënkryetarët e kësaj platforme.
Kjo është hera e parë që Shqipëria zgjidhet dhe përfaqësohet në nivele të tilla të larta në një platformë mbareuropiane.
“Jam vërtetë e nderuar për besimin që m’u dha”, ka thënë Krasniqi në momentin e shpalljes së rezultatit të votimit.
“Shqipëria është një vend i vogël, por kjo nuk ka të bëjë fare me përmasat e saj. Votën e sotme do ta shihni në përkushtimin tim profesional, energjinë dhe kontributin tim të plotë gjatë ushtrimit të kësaj detyre”, shtoi Krasniqi.
(A2 Televizion)