Problemet me pronën dhe posaçërisht me ndarjen e pasurisë së përbashkët familjare apo fisnore, kanë shoqëruar më së shumti shoqërinë shqiptare përgjatë 30 viteve të demokracisë. Një problem që vijon të haset është ndarja e pasurisë mes familjarëve të mbetur, kur ndërron jetë një prej prindërve.
“Në momentin e vdekjes së një bashkëshorti, i kalohet një herë 50% i pasurisë bashkëshortit tjetër, është pjesë e detyrueshme. Sepse është e vetja, thjesht nuk ka qenë e ndarë pasi kanë qenë të martuar. 50% që mbetet, ndahet në pjesë të barabarta mes bashkëshortit dhe fëmijëve”, shpjegon avokatja Elona Berki gjatë një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin.
“Nëse ndërron jetë bashkëshorti dhe familja ka 3 fëmijë. Nëse bëhet fjalë për një apartament, 50% e tij i takon bashkëshortit tjetër sepse është bashkëpronar në atë apartament, nuk i takon trashëgimi nga pjesa e të shoqit. Kurse 50% i të shoqit ndahet në pjesë të barabarta ndërmjet 3 fëmijëve dhe bashkëshortes. Domethënë ¼-tat secili. Nëse ndërron jetë edhe prindi tjetër, vazhdon cikli në radhët e trashëgimtarëve”.
Por çfarë ndodh në rast divorci të dy prindërve? “Në rast divorci, menjëherë bëhet përpjesëtimi i pasurisë dhe pjesa e përbashkët, ndahet mes bashkëshortëve. Në momentin që ndërron jetë një bashkëshort i divorcuar, nuk ka më të drejtë bashkëshorti tjetër”, tregon avokatja Berki. (A2 Televizion)