Pika e grumbullimit të automjeteve të bllokuara apo të sekuestruara nga policia dhe prokuroria, është kthyer tashmë në një varrezë makinash në Gjirokastër. Por ajo që është më shqetësuese është fakti që të gjithë turistët që vijnë në qytetin e ruajtur nga UNESCO përballen me këtë pamje para se të arrijnë në qytet.
E ndërsa ka një ligj që nuk lejon vendgrumbullime të tilla hekurishtesh buze rrugës nacionale, në Gjirokastër janë vetë institucionet ligjzbatuese që nuk po i japin zgjidhje këtij problemi që bie ndesh edhe me ligjet në fuqi.
Këtë fakt e pranojnë edhe institucionet ligjzbatuese në Gjirokastër siç është policia, e cila premton se do të nisin inventarizimin për largimin e këtij vendgrumbullimi në një ambient më të përshtatshëm.
Mjetet e sekuestruara apo të bllokuara kanë shërbyer si prova materiale kryesisht për vepra penale në fushat e trafikut të klandestinëve, trafikut të lëndëve narkotike, të vjedhura apo të përfshira në aksidente rrugore. (A2 Televizion)