Parku kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër atraksionet turistike më të preferuara të momentit, ku vizitorët gjejnë edhe pyllin, edhe bregdetin.
Por, kjo pasuri natyrore nuk është edhe aq miqësore me vizitorët e saj. Shkak janë mushkonjat e shumta që me sa duket janë në habitatin e tyre, por që po cenojnë seriozisht frekuentimin e parkut, shkruan A2.
Madje, disa prej vizitorëve shprehen se ndihen të bezdisur.
Edhe fëmijët që në shumicën e rasteve janë indiferentë, ndihen të shqetësuar nga prania e mushkonjave.
Sakaq, autoritetet shprehen se kanë filluar dezinsektimin e parkut, një proces ky që është parashikuar të kryhet në disa faza deri në muajin tetor, ndërsa vizitorët shpresojnë që masat e marra të japin sadopak efekt. (A2 Televizion)