26,600 maturantë nisën provimet e Maturës Shtetërore. Gjuha e huaj, kryesisht anglishtja, është testimi i parë i provimeve përmbyllëse të shkollës së mesme.
Teza u hap në orën 10:00 në 144 qendra provimi në të gjithë vendin. Pas dy orësh e gjysmë, maturantët treguan për mbarëvajtjen e provimit, shkallën e vështirësisë dhe pyetjet “me spec” që mund t’i ngatërronin.
2 mijë mësues dhe 170 punonjës nga Ministria e Arsimit u angazhuan për mbarëvajtjen e provimit dhe për të parandaluar nxjerrjen e tezës jashtë ambienteve të shkollave.
Ndryshe nga paraardhëset e saj, ministrja Mirela Kumbaro arriti të kalojë me sukses testin e parë të Maturës Shtetërore. Ajo që ishte kthyer në traditë, publikimi i tezës 30 minuta pas nisjes së provimit dhe më pas edhe i ushtrimeve të zgjidhura, këtë vit nuk ndodhi, të paktën në provimin e gjuhës së huaj.
Ministria e Arsimit thekson se këtë vit janë rritur masat e sigurisë për provimet e standardizuara të Maturës Shtetërore.
Pas provimit të anglishtes, maturantët do t’i nënshtrohen testit të Gjuhës Shqipe më 9 qershor, Matematikës më 16 qershor dhe, më 23 qershor, provimit të lëndës me zgjedhje. (A2 Televizion)