Shegushe Bebeti apel për prindërit: Lexojini tregime fëmijëve, largoni telefonin

Nga A2 CNN
31 Maj 2026, 10:43 | Sociale

Shegushe Bebeti, një nga figurat më të dashura të Teatrit të Kukullave, e cila prej më shumë se 40 vite i ka dhuruar buzëqeshje, emocion dhe magji brezave të tërë të fëmijëve shqiptarë ishte e ftuar në rubrikën “Impakt Shëndet”, pjesë e emisionit “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti. E diplomuar për dramë në Institutin e Lartë të Arteve, ajo ëndërronte skenën e teatrit klasik dhe filmit, por jeta e lidhi përjetësisht me botën e kukullave, duke u kthyer në një simbol të dashurisë për artin dhe fëmijët. Përmes roleve ikonike si Pinoku, Kësulëkuqja, Borëbardha, Ali Baba apo Bardhoshja, ajo ka ndërtuar një univers emocionesh që ka shoqëruar fëmijërinë e shumë brezave.

Fakti që fëmijët vijnë dhe shohin një shfaqje dy herë, tre herë, pesë herë dhe nuk mërziten, tregon që kjo shfaqje përveç mesazhit edukues sjell dhe një mesazh argëtues. Pra, teatri është shumë atraktiv. E bën fëmijën që ta ndjeki, që të reagojë, që të qeshi, që të emocionohet. Si themi ne buzëqeshja të zgjat jetën. Pra fëmija ndihet aq i lumtur kur shikon një shfaqje teatri sa përfshihet komplet brenda saj. Unë them që është shumë e mirë për shëndetin mendor, për shëndetin fizik të fëmijës, sepse ka raste kur shfaqja është muzikal, fëmijët këndojnë me ne, ngrihen në sallë, kërcejnë dhe t'i edukosh fëmijët nëpërmjet artit, mendoj që është shumë bukur” – tha aktorja e teatrit të kukullave.

Prej 10 vitesh, aktorja po jep një kontribut të veçantë në nisma që lidhen me fëmijët me aftësi të veçanta duke u rikthyer buzëqeshjen nëpërmjet shfaqjeve me kukulla.

Unë kam 10 vjet që punoj me fëmijët me aftësi të kufizuar që janë të spektrit autik dhe të sindromës down. Kam punuar edhe me paraplegjikë dhe e shoh që kënaqësia që ata marrin nëpërmjet terapisë së artit që ne i bëjmë është jashtëzakonisht e madhe dhe për herë të pare, unë vjet kur bëra një projekt me ta, futa dhe teatrin e kuklullave. Nuk mund ta imagjinosh dot se çfarë kënaqësie ishte dhe çfarë interpretimi të shkëlqyer kanë bërë ata. Unë jam habitur se me sa kujdes ata e preknin kukullën, me sa dashuri e lëviznin, me sa dashuri e interpretonin. Bile në fund të projektit unë ja dhurova kukullat atyre” – tregoi Shegushe Bebeti.

Fëmijët humbasin shumë kohë me celular. Shoh dhe prindërit, e kanë gjetur si zgjidhje celularin. Sigurisht unë nuk dua të fajësoj askënd sepse koha ecën, teknologjia zhvillohet detyrimisht, njeriu duhet të eci me kohën, por shoh shpeshherë kur ulen të konsumojnë një kafe në lokal, shoh shpeshherë mama të reja që vijnë, gjëja e parë që bëjnë, nxjerrin celularin, venë kukullat ose një film vizatimor, ja vë fëmijës në karrocë. Mendoj që duhet të luftojnë shumë prindërit për t'i shkëputur fëmijët nga celulari, të mos harxhojnë shumë kohë dhe mbi të gjitha që është shumë kryesore, prindërit duhet të merren shumë me fëmijët. Vërtet shkolla është e rëndësishme, po unë e kam bindje absolute që edukatën nuk ta jep shkolla, edukatën ta jep familja. Unë them asgjë nuk i kushton një prindi që sado i lodhur që të jetë gjysmë ore në darkë të merret me atë fëmijën. Po t'i lexoj një përrallë, po t'i lexoj një tregim” – ishte apeli i aktores Bebeti.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos