Debati mbi mënyrën më të mirë të rritjes së fëmijëve në vitet e para të jetës mbetet i hapur mes prindërve. Ekspertja e edukimit Suela Kçbellinj, e ftuar në “ Dita jonë” në A2 CNN, theksoi se nuk ekziston një përgjigje universale për pyetjen nëse fëmijët duhet të rriten në çerdhe apo nga gjyshërit.
Sipas saj, gjithçka varet nga cilësia e kujdesit dhe siguria emocionale që i ofrohet fëmijës. “Një gjysh i përkushtuar mund të jetë po aq i rëndësishëm sa një çerdhe cilësore, ndërsa një ambient i papërshtatshëm mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tij”, u shpreh ajo.
Ndërsa Emi Shehi, terapiste neurozhvillimore, tha se nevoja kryesore e fëmijëve deri në moshën tre vjeç nuk është socializimi, por krijimi i lidhjeve të sigurta emocionale me personat që kujdesen për ta. Megjithatë, ajo vlerësoi se çerdhja ndihmon në krijimin e rutinave, disiplinës dhe pavarësisë.
“Nëna është lexuesi më i mirë. Kjo shihet kur fëmija shkon në çerdhe, si sillet kur e merr. Gjithsesi nëse do të zgjidhja mes një dadoje filipinase dhe çerdhes, unë do të zgjidhja çerdhen. Shtëpia është një vend i sigurt, por qasja me një kulturë krejt të panjohur, për mua nuk është zgjidhja ideale”, tha Shehi. (A2 Televizion)