Metapneumovirusi, që ka krijuar shqetësim në Kinë dhe ka bërë vigjilente pjesën tjetër të botës, nuk është i panjohur për mjekët as për popullatën në mbarë globin.
Mund të ketë ndodhur që të gjithë të kemi qenë të prekur të paktën një herë prej tij, pasi në Shqipëri ky virus ka më shumë se 25 vjet që qarkullon së bashku me gripin dhe virozat e tjera respiratore. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se në vendin tonë nuk ka shpërthime epidemiologjike nga Human Metapneumovirusi dhe as raste të rënda në spital.
Epidemiologu Dritan Ulqinaku, ish-nëndrejtor në Institutin e Shëndetit Publik, shuan zërat dhe dyshimet për shfaqjen e një pandemie të dytë, pas asaj të Covid-19, shkruan A2 CNN.
Ekspertët e ISHP tregojnë se edhe Human Metapneumovirusi transmetohet përmes rrugëve aerogene, njësoj si gripi dhe Covid-19. Edhe shenjat e sëmundjes nisin njësoj, por metapneumovirusi kryesisht përqendrohet në bronke, duke shkaktuar bronkiolite deri në pneumoni.
Metapneumovirusi prek dhe dëmton më së shumti shëndetin e të miturve dhe të moshuarve. Për këtë grup-mosha, ISHP këshillon kujdes më të shtuar, madje dhe mbajtjen e maskës në vendet ku ka më shumë njerëz. (A2 Televizion)