Organizohet takim për Inteligjencën Artificiale, Dr. Mentor Petrela: Mos kini frikë prej saj, e ka krijuar njeriu

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 12:59 | Sociale

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Njësia e Inteligjencës Artificiale organizoi workshop-in “IA Shkakësore – Një framework i ri për marrjen e vendimeve në mjekësinë e personalizuar”. Aktiviteti u zhvillua me një program të strukturuar në disa sesione tematike dhe të ftuar nga fusha e mjekësisë, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Prof. Dr. Ana Ktona, ku u paraqitën objektivat e projektit dhe rëndësia e aplikimit të inteligjencës artificiale shkakësore në mjekësinë e personalizuar. Dr. Olti Qirici prezantoi një pasqyrë të zgjeruar mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në parashikimin e rrezikut të çarjes së aneurizmave intrakraniale, një tematikë me rëndësi të veçantë klinike dhe teknike.

I pranishëm në këtë workshop ishte edhe Prof. Dr. Mentor Petrela i cili u shpreh për të pranishmit dhe emisionin “Diagnozë” nga Freskida Miloti: “Sa i përket inteligjencës artificiale, unë nuk jam aspak dakord me idenë se duhet të kemi frikë prej saj, vetëm sepse është krijuar nga njeriu. Njeriu nuk duhet të frikësohet nga një teknologji që vetë ka ndërtuar. Problemi është se sot ajo perceptohet si një enigmë: njerëzit janë të painformuar, e njohin vetëm si term dhe e përdorin si kërcënim, duke thënë se është e frikshme, se do të na dëmtojë… Në fakt, nuk do të na dëmtojë asgjë. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të jemi më të saktë, më efikasë dhe më të përgatitur.

Qëllimi përfundimtar është pacienti. Futja e inteligjencës artificiale – për shembull, krijimi i një sistemi në shqip si ChatGPT – do të shërbejë për standardizimin e sjelljes klinike, që sot shpesh është e paunifikuar dhe kontradiktore. Aktualisht, ndodh që një pacient me aneurizëm të diagnostikohet gabimisht, të trajtohet me metoda të papërshtatshme, madje të rrezikohet jeta për shkak të mungesës së protokolleve të qarta dhe informacionit të saktë. Të gjithë jemi të ekspozuar, sepse pavarësisht profesionit, të gjithë jemi njerëz dhe mund të përballemi me situata të vështira.

Inteligjenca artificiale do të na mundësojë të kemi një “gjuhë të përbashkët” në trajtimin e pacientit. Informacioni i strukturuar, qoftë në onkologji, qoftë në radiologji, do të jetë një ndihmë e madhe. Sidomos në radiologji, ku imazheria mund të analizohet automatikisht dhe s’do të jetë e nevojshme të kërkojmë dy apo tre interpretime të ndryshme: një që nuk e di fare, një që e di përgjysmë, dhe një që e di treçerek. Sistemi do të thotë qartë: ‘kjo është një metastazë në rritje’ dhe do të sugjerojë trajtimin përkatës.

Nëse inteligjenca artificiale integrohet si duhet, veçanërisht nga gjenerata e re, ajo do të ngrejë nivelin e mjekësisë. E rëndësishme është që teknologjia të flasë shqip, jo vetëm anglisht. Kjo do të sjellë një përparim të madh.”

Prof.Asoc. Eugen Enesi u shpreh për këtë projekt që lidh Inteligjencën Artificiale me mjekësinë:

“Inteligjenca artificiale po zë gjithnjë e më shumë vend në të gjitha shtresat e shoqërisë – nga fëmijët, deri te proceset ligjore. Ky projekt synon të identifikojë personat që do ta aplikojnë, zhvillojnë dhe çojnë përpara këtë teknologji. Ajo që duhet të kemi parasysh është se, ashtu si çdo mjet tjetër që përdorim, edhe IA në mjekësi është një vegel ndihmëse që na ofron më shumë mundësi.

Nuk duhet të harrojmë se një vegël – pavarësisht se sa e avancuar është – nuk na bën automatikisht më të zot apo më të zgjuar. Edhe në rastin e IA-së, roli ynë si mjekë mbetet thelbësor. IA do të na ndihmojë të jemi më të saktë në vlerësimin e pacientëve, më të saktë në diagnostikim dhe, veçanërisht me zhvillimin e teknikave të avancuara imazherike, do të na asistojë në analizimin e një numri gjithnjë e më të madh variablash.

Në thelb, IA është një mjet që na mundëson t’i trajtojmë pacientët sa më mirë. Por, në fund të fundit, mbetet gjithmonë mjeku ai që vendos, që interpreton dhe që zgjidh problemet mjekësore që njerëzit do të kenë në të ardhmen.”

Sesionet vijuan me prezantime mbi aplikimet praktike të AI në shëndetësi: mbështetjen e pacientëve alergjikë përmes algoritmeve të të mësuarit, kujdesi i personalizuar dhe i shpejtë për pacientët, si dhe zhvillimin e sistemeve inteligjente telemjekësore për monitorim në distancë. U trajtuan gjithashtu biomarkerët dhe analizat klinike për sëmundjet kardiovaskulare dhe nivelet e homocisteinës në popullatë.

Temat multidisiplinare përfshinë analizën e sentimentit nga të folurit në gjuhën shqipe, integrimin e të dhënave klinike dhe imazherike për parashikimin e rezultateve të trajtimit të kancerit, si dhe teknologjitë e avancuara vizuale, përfshirë binjakët dixhitalë multimodalë që lidhen me mjedisin dhe shëndetin në qytetet inteligjente.

Ky ishte një workshop i hapave të ardhshëm në zhvillimin e risive kërkimore në mjekësinë e personalizuar dhe inteligjencën artificiale. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos