
Engjëll Cani, babai i Martin Canit, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se dënimi me 16 vite burg i vrasësit të djalit të tij “është një rreze drejtësie”.
“Është një rreze drejtësie sepse ngjarja ishte e paramenduar dhe ishte me dy viktima. Pavarësisht se Luizi shpëtoi nga mrekulli e Zotit dhe ligji për të mitur këtu në Shqipëri është përgjysmohet dënimi. I dha 32 dhe përgjysmohet në 16.
Ai pati një mesazh edhe për prindërit e adoleshentëve, duke u thënë që “të kenë sa më shumë ura lidhëse dhe të jenë sa më shumë afër fëmijëve”.
“Në rastin tim nuk është e njëjtë, sepse unë me djalin tim Martinin isha shumë i lidhur dhe e ndiqja çdo ditë. Edhe bashkëshortja ime ishte mësuese dhe ishte gjithmonë në kontakt me të, sepse e dinte këtë moshën e adoleshencës, sepse është mosha 14, 15 deri në 18 është e vështirë. Edhe ne ishim shumë prezent, bisedonim, kishim shumë lidhje, por kjo nuk ishte e mjaftueshme sepse ndodhi te porta e shkollës sepse se ne po të na kishte njoftuar qysh ditën e premte që kishte ndodhur sherri me një sms kishim shpëtuar jetë. Sepse Martini nuk kishte TikTok, nuk ishte i apasionuar mbas rrjeteve sociale dhe sherri ishte mes dy moshatarëve të së njëjtës shkollë”, tha Engjëll Cani.
Sipas tij, nuk janë marrë masa pas ngjarjes tragjike që i mori jetën djalit të tij.
“Më thoni një masë që është marë. Ne deri tani kemi pasur 5-6 raste të tjera. Rasti më i freskët ishte para një jave. Ne kemi dalë, kemi demonstruar për të gjithë fëmijët shqiptarë. Ne jetojmë në Shqipëri dhe çdo gjë është e mundur këtu. Këtu ka vazhduar mësimi normalisht të nesërmen, si për Martinin ashtu dhe për Erjonin, djalin tjetër që u vra në Durrës. Ato po zihen ditë për ditë në shkolla. Po të shkoni në shkolla do të shihni çfarë bëhet”, deklaroi më tej Cani.
(A2 Televizion)