Projekti 6 milionë euro me Italinë, financohen 5 spitale, protokolle e teknologji të reja për nënat dhe foshnjat

Nga Ornela Joti
11 Dhjetor 2025, 15:05 | Sociale

Pas marrëveshjes së nënshkruar në Romë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Italia financon 6 milionë euro për përmirësimin e shërbimeve dhe protokolleve neonatale në Shqipëri. Projekti do të zbatohet në dy spitale universitare dhe tre spitale rajonale, shkruan A2 CNN. Ai parashikon modernizimin të terapive intensive, teknologji të avancuara dhe standardizimin e protokolleve klinike.

Ndërkohë, ekipi i profesorëve në maternitete ka nisur nga puna për unifikimin e protokolleve mjekësore. Gjatë kongresit ndërkombëtar të Obstetrikë-Gjinekologjisë u diskutuan ndërhyrjet kirurgjikale pa prerje, të rejat e shkencës dhe teknologjisë, veçanërisht në trajtimin e infertilitetit.

Sipas mjekëve specialistë, 1 në 6 çifte edhe në vendin tonë kanë vështirësi për t’u bërë me fëmijë, dhe kjo për shumë arsye. “Sot kemi përsosur disa strategji për implementimin e përdorimit të teknologjisë që zvogëlon impaktin e ndërhyrjeve kirurgjikale në cilësinë e jetës së grave. Kirurgjia moderne sjell përfitime dhe progres. Ajo ofron kirurgji më precize dhe me më pak komplikacione. Kirurgjia mini-invazive ka impakt estetik me më pak cikatrice, më pak komplikacione, më pak humbje gjaku dhe një rikuperim shumë më të shpejtë”, tha Violante di Donato, mjek obstetër-gjinekolog.

Profesorët e La Sapienza-s, gjatë takimit me ministren e Shëndetësisë dhe me mjekët shqiptarë, vlerësuan aftësinë e ekipeve mjekësore në vendin tonë për të aplikuar teknikat e reja për shërbimin ndaj nënës dhe fëmijës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos