Pacientët dërgohen në Elbasan, Bashkia e Belshit pa spital dhe pa mjekë specialistë

Nga Gazmend Janku dhe Belinda Ruçaj
23 Nëntor 2023, 12:54 | Sociale

Edhe pse është bashki më vete, Belshi nuk e ka më spitalin e dikurshëm. E njëjta godinë tashmë është kthyer në një qendër shëndetësore, ku mungojnë mjekët specialistë. Drejtori i kësaj qendre shpjegon mënyrën e re të funksionimit.

“Quhet qendër socio-shëndetësore 24/7 A Belsh-Rrasë. Pra funksionon si qendër shëndetësore. Janë mjekët e familjes, 6 mjekë familjeje dhe 30 infermierë.”

AGIM HASKO – DREJTOR I QSSH, BELSH

Por si ndihen qytetarët e Belshit me këtë formë të re të funksionimit të shërbimit shëndetësor dhe veçanërisht moshat e treta që kanë më tepër nevojë si për konsulta ashtu edhe për vizita me mjekët specialistë.

“Këtu ka vetëm mjek të përgjithshëm. Për vizita shkojmë në Elbasan, marrim rekomandimin nga këtu dhe shkojmë në Elbasan. Është kosto për neve, do ikësh në Elbasan e do kthehesh.”

Edhe pse zyrtarisht qendra shëndetësore e Belshit përfshin shërbimin për 17 mijë banorë realisht urgjenca pranë kësaj qendre u shërben rreth 50 mijë banorëve dhe drejtori i qendrës shprehet se do ta mirëpriste vendosjen e mjekeve specialistë në këtë qendër.

“Në rast se strukturat përkatëse gjykojnë, vlerësojnë se vërtet për numër popullsie dhe hapësirë gjeografike ka nevojë për mjekë specialistë të çdo lloj fushe, normalisht që ne i mirëpresim.”

AGIM HASKO – DREJTOR I QSSH, BELSH

Shërbimi shëndetësor shikohet si një suport edhe për zhvillimin e turizmit, pasi prej disa vitesh Belshi po frekuentohet nga një numër i lartë vizitorësh, të cilët jo në pak raste kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore të specializuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos