“Ditët e bujqësisë 2025” është titulluar panairi ndërkombëtar i bujqësisë, cili tashmë po kthehet në një traditë që organizohet në qytetin e Lushnjës.
Vit pas viti panairi ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të firmave dhe subjekteve që ekspozojnë produktet e tyre, por edhe interesin e fermerëve dhe vizitorëve të ndryshëm. Dhe me sa duket organizime të tilla për bujqësinë kanë dhënë edhe efektet tashmë të prekshme dhe të pranuara nga vetë pjesëmarrësit në panair.
“Kam ardhur nga zona e Cakranit, të Fierit, dhe kam sjellë vajin e ullirit. Shpresoj për pjesën e eksportit, Kosovën, Maqedoninë. Kam lidhur një kontratë me Amerikën.”
“Luleshtrydhen, pres që te kemi akoma më shumë rezultate, shitje për luleshtrydhen. Jemi lidh me shumë supermarkete në Tiranë dhe me vende jashtë.”
“Nga Peshkopia jemi, kemi djathë dhie, djathë dele dhe lope. Viti i dytë që vijmë në Lushnje. Nga panairi kemi reklamë, të shton tregun. Unë vjet isha këtu në Lushnje, kishim shumë punë dhe kemi hapur një dy2qan këtu.”
“Nga ky panair ne shtojmë kontaktet me klientët tanë. U japim mundësin për vendndodhjen se ku jemi, për produktet që kemi se jo të gjithë mund të na gjejnë përmes rrjeteve sociale.”
Përveç produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe mekanikës bujqësore në panair janë zhvilluar edhe seminare trajnuese nga ekspertë të ndryshëm në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.
(A2 Televizion)