Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin financiar për efektivët e Policisë së Shtetit, të cilëve u dëmtohet prona si pasojë e detyrës.
Nëse shtëpia e një polici sulmohet me armë, eksploziv apo shkatërrohet gjatë një operacioni, shteti mund t’i ofrojë deri në 1 milonë lekë të reja, shkruan A2.
Por, dëmshpërblimi do të aplikohet vetëm nëse dëmi lidhet direkt me detyrën dhe ka kaluar për ndjekje penale në prokurori.
Vendimi i plotë:
Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, përfiton kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 000 000 (një milion) lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:
a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;
b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;
c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
Për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;
b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në prokurori, në rastin kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij, për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori;
c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë së pronës së dëmtuar, apo që provon se këtë pronë e ka në proces legalizimi;
ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ngre komisionin, i cili përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
b) Një punonjës nga Drejtoria e Mbështetjes Logjistike;
c) Një punonjës nga Drejtoria e Financave;
ç) Një punonjës nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore;
d) Një punonjës nga Drejtoria Juridike.
Komisioni kryen vlerësimin e përputhshmërisë së dokumentacionit të paraqitur me kriteret për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vendimin përkatës.
Pagesa për kompensim të menjëhershëm financiar për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Bashkëlidhur me urdhrin e përmendur në pikën 6 të këtij vendimi, për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar, në rast dëmtimi të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, duhet të gjendet dokumentacioni i përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.
Në rast se komisioni vendos për refuzimin e dhënies së kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisionit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast pranimi, kërkesa për dhënien e kompensimit të menjëhershëm financiar i kthehet për rishqyrtim komisionit.
Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë, që ka përfituar kompensim të menjëhershëm financiar, është i detyruar të kthejë në masën 100 % shumën e përfituar.
Vendimi nr.169, datë 8.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare punonjësit të policisë, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës”, shfuqizohet.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare (A2 Televizion)