Kosto, pasiguri dhe emigrim. Shqipëria përballë krizës së lindshmërisë

Nga Elsa Boshku
18 Prill 2025, 23:56 | Sociale

Një fëmijë ka një kosto që fillon nga 25 mijë euro në momentin që lind, deri në 150 mijë euro në rritje.

Në maternitete po dëgjohen gjithnjë e më pak të qara foshnjash. Për një radhë arsyesh, gjeneratat e reja po hezitojnë të krijojnë familje, shkruan A2. 

“Përballemi me një realitet sfidues. Kemi një sistem që nuk e favorizon shume nënën që të ketë edhe një jetë profesionale. Nuk kemi të mirë sistemin e çerdheve, kopshteve, shkollave...”, thotë një qytetare.

Ndërsa një gjyshe shprehet: “I them bëni një fëmijë se ua mbaj unë. Jo, moj nënë, më thotë, se ku na del kjo rrogë”.

Realiteti i sotëm duket se ka krijuar ndasi në mendime edhe për brezat e mëparshëm.

Projeksionet e popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të disa ditëve më parë, parashikonin që në 30 vitet e ardhshme numri i lindjeve në Shqipëri do të përgjysmohet.
Pedagogia Nora Malaj shprehet për A2 CNN: “Shifër tronditëse. Faktorët janë disa: stabiliteti ekonomik, të rinjtë që nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë e familjes dhe prindërimit, largimet nga vendi”.

Edhe pse prej kohësh janë ndërmarrë nisma nxitëse nga institucionet shtetërore, siç është bonusi i bebes, efektet nuk po ndihen ende dhe shifrat e lindjeve vazhdojnë zbritjen.

“Politikat duhet të jenë konkrete dhe shteti duhet të jetë shtet social. Të bëjë paketa të dedikuara për prindërit, për femijët... Shtimi i mësuesve ndihmës, në pallatet e reja katet e para të jenë në shërbim të çifteve të reja, duke filluar nga kopshtet, çerdhet, ushqimet e standardizuara”, thekson më tej Malaj.

Sipas INSTAT, nga 50 mijë lindje në vit që kishim në vitin 2002, tanimë vështirë se arrijmë në 24 mijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos