Sot në Tiranë u zhvillua Konferenca Përmbyllëse e projektit “Toka Jonë”, një nismë novatore për ripërdorimin social të tokave të konfiskuara nga krimi i organizuar në Shqipëri. Projekti, i zbatuar nga COSV në partneritet me ANRD dhe CGM dhe në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), u financua nga Komisioni Evropian dhe është zbatuar që nga viti 2022 në zona rurale si Shijaku dhe Tirana.
Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë strategjike që përfaqëson ky projekt për vetë misionin e agjencisë: “Projekti ‘Toka Jonë’ ka qenë më shumë se një ndërhyrje konkrete – ka qenë një eksperiencë e vlefshme mësimi, bashkëpunimi dhe rritjeje institucionale.”
Ajo theksoi se falë këtij bashkëpunimi, toka të konfiskuara janë kthyer në burime të punësimit, zhvillimit social dhe integrimit për grupe të margjinalizuara në zonat rurale.
Gjatë zbatimit të projektit, AAPSK është përballur edhe me sfida të rëndësishme, të cilat kanë shërbyer për të përmirësuar proceset e brendshme. Një prej tyre ishte përballja me problematika pronësie, e cila sipas znj. Xhaja “i dha shtysë agjencisë për të forcuar standardet e vlerësimit të riskut dhe për të garantuar më shumë siguri për organizatat dhe komunitetet që ndërtojnë mbi këto pasuri.”
Znj. Xhaja theksoi gjithashtu se projekti ka ndihmuar në afrimin e AAPSK me standardet më të mira evropiane për qeverisjen e aseteve të konfiskuara, duke forcuar më tej partneritetin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.
Në përfundim të fjalës së saj, Kryeadministratorja shprehu mirënjohjen për të gjithë partnerët e projektit dhe për Komisionin Evropian, duke ritheksuar angazhimin e AAPSK për të avancuar më tej në misionin e saj për përdorimin me qëllim social të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe besimit qytetar tek institucionet publike. (A2 Televizion)