Piktori patriot, Bledar Çakalli ngjyros autostradën Lushnje-Fier me “Shtëpinë e Kongresit”

Nga Armend Pire
26 Gusht 2024, 14:38 | Sociale

Lindur në Dibër por banues prej disa vitesh në Tiranë. Bledar Çakalli është autor i njohur i shumë pikturave murale apo grafikëve të bëra në disa qytete të Shqipërisë.

Jo vetëm për nga bukuria por punimet e tij spikasin dhe për mesazhin patriotik që përcjellin. Muralja e fundit është bërë në Lushnje në autostradën që lidh këtë qytet me Fierin në një mbi kalim të Savrës, ku ai ka pikturuar shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Bledarin e takuam tek “Shtëpia e Kongresit”, tashmë si vizitori saj. “Jo vetëm Lushnje, por edhe Prizrenin dhe shumë Kongrese për trojet shqiptare kam qenë prezent, duke i vizituar dhe mësuar shumë gjëra për historinë. Do ta lidh Kongresin e Lushnjës me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Ne si popull harrojmë shumë shpejt dhe kjo nuk duhet harruar, kjo ka qenë arsyeja kryesore përse bëmë Kongresin e Lushnjës", tha Çakalli për mikrofonin e A2 CNN.

Pasi lamë pas “Shtëpinë e Kongresit” ai na drejtoi tek muralja që është duke përfunduar në mbikalimin e Savrës. Ka qenë dëshira e disa qytetarëve lushnjare por edhe sponsorizimi i tyre për të kryer këtë murale.

“Kemi disa figura të Lushnjës dhe jo vetëm. Siç është Goro Myzeqari, Genc Sefa. Kemi edhe Avni Rustemin që është një figurë që lidh shumë faktorë historikë. Është diku te 30 metër katror. Diçka simbolike por me një mesazh shumë të madh. Ka ndjenjën e krenarisë për çdo qytet dhe trevë shqiptare”, zbuloi më tej piktori për A2 CNN.

Ai na pohoi se tashmë pas kësaj murale të tjera murale në të tjerë qytete e kanë radhën ndofta Fieri apo ndonjë qytet tjetër i jugut të vendit./ A2 Televizion (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos