Arkitektura karakteristike dhe natyrisht historia e banesave te Gjirokastrës, është arsyeja kryesore pse ky qytet është kthyer në një prej destinacioneve kryesore të turistëve që vijnë në vendin tonë.
Janë pikërisht vlerat e këtyre banesave që Gjirokastra sot është një qytet që mbrohet nga UNESCO. Por pikërisht këto banesa rrezikojnë të kthehen në gërmadha dhe të humbasin vlerat e tyre për shkak të problemeve të pronësisë, të cilat nuk mundësojnë as mirëmbajtjen edhe as restaurimin e tyre.
një rast konkret është edhe një nga shtëpitë ikonë të Gjirokastrës, ajo e Angonatëve. Në pamundësi për të bërë të vizitueshme drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore është detyruar të kryeje restaurime të jashtme sa për të ruajtur formën dhe fasadën.
Ndërsa banesa të tjera duket se kanë prekur fundin e tyre ose janë shumë pranë fundit si pasojë e lënies në mëshirë të fatit dhe pamundësisë për të ndërhyrë edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Sipas drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, numri i banesave monument kulture që kanë nevojë për ndërhyrje është mbi 20, prej të cilave vetëm një numër i vogël mirëmbahet.
Ndërsa numri real i shtëpive karakteristike në Gjirokastër që kanë nevojë për ndërhyrje është shumë më i lartë. (A2 Televizion)