Raporti alarmant për barnat, ilaçet që vijnë në Shqipëri me kosto dhe cilësi të ulët

Nga Ornela Joti
21 Prill 2026, 15:07 | Sociale

Të gjitha pyetjeve dhe dyshimeve që ngremë vazhdimisht mbi sigurinë dhe cilësinë e barnave që qarkullojnë në vendin tonë u ka dhënë përgjigje Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raporti i detajuar në lidhje me medikamentet që përdorin pacientët shqiptarë është alarmant.

80% e barnave që qarkullojnë në vendin tonë janë xhenerikë, pra jo të patentuar, me kosto dhe cilësi më të ulët, por që shiten me çmime njësoj si në Bashkimin Europian, në mos edhe më shtrenjtë.

“Me ndryshimet ligjore të vitit 2014, që synonin uljen e kostove spitalore dhe rritjen e përfituesve përmes zëvendësimit të emrave tregtarë me barna xhenerike, u lejua futja në tregun shqiptar e barnave që nuk janë prodhuar sipas standardeve të BE-së. Kjo situatë solli si pasojë largimin e disa kompanive tregtare nga tregu farmaceutik shqiptar, duke zëvendësuar medikamentet që ato tregtonin me medikamente xhenerike.

Një bar xhenerik është një produkt farmaceutik për të cilin patenta origjinale ka skaduar dhe tashmë mund të prodhohet edhe nga kompani të tjera që nuk e zotërojnë atë”, tha në Kuvend përfaqësuesja e KLSH.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah edhe diferencën e madhe, edhe ligjore, me vendet e Bashkimit Europian. Skandaloze cilësohet puna e agjencisë së kontrollit të barnave në të gjitha hallkat e saj.

Referuar raportit, ky institucion përgjegjës për sigurinë dhe cilësinë e medikamenteve është thuajse inekzistent. Laboratori që kryen kontrollin e barnave që qarkullojnë në vendin tonë është vetë i paakredituar, shumë larg standardeve të BE-së.

Ndërsa në vitin 2020, në vitin e pandemisë, nuk është kryer asnjë analizë për barnat që kanë qarkulluar në Shqipëri.

“Akreditimi është i rëndësishëm sepse tregon se një laborator punon sipas standardeve të njohura, me metoda të verifikueshme dhe rezultate të besueshme. Në mungesë të tij, siguria që japin analizat laboratorike është më e kufizuar.

Nga auditimi rezulton se për vitin 2020 laboratori nuk ka kryer asnjë analizë të mostrave për 740 autorizime tregtimi të lëshuara. Ndërsa për periudhën 2021–2023 janë kryer vetëm 644 analiza për 2884 autorizime të lëshuara”, tha përfaqësuesja e KLSH..

Gjatë raportimit në nënkomisionin për auditimin e sektorit publik, KLSH kritikon punën e Ministrisë së Shëndetësisë, nën drejtimin e Ogerta Manastirliut, veçanërisht për vitet kur është kryer auditi, 2020–2023.

“Auditimi evidenton mungesë të rolit aktiv mbikëqyrës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndaj agjencisë, pasi Ministria, si organ epror dhe hartues i politikave, nuk duhet vetëm të nxjerrë rregulla, por edhe të sigurohet që agjencia në varësi i zbaton përgjegjësitë e saj në mënyrë efektive”, tha përfaqësuesja e KLSH.

Specialistët e KLSH-së deklaruan se agjencia e kontrollit të barnave nuk ka bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare dhe nuk ka reflektuar ndaj alarmit të ngritur prej tyre.

Shqipëria po synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por raporti i fundit i KLSH-së dëshmoi distancën reale nga vendet e Unionit kur bëhet fjalë për shëndetësinë dhe cilësinë e barnave.

Ky raport justifikon gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për t’i siguruar medikamentet jashtë vendit, pasi ato që ndodhen në tregun tonë jo vetëm që nuk kanë cilësinë e duhur, por as garancinë për shëndetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos