
Ndarja e parakohshme nga jeta, dy ditë më parë, e mësuesit nga Devolli Alban Bejleri, ka lënë pikëllim të madh te familjarët e tij. 55-vjeçari pësoi arrest kardiak dhe më pas u gjet pa shenja jete në rrugë, pasi kishte përfunduar mësimin në fshatin e largët Marjan.
Nëna e të ndjerit i ka kushtuar një mesazh prekës të birit në rrjetet sociale, ku thotë se ikja e të birit “ka hapur një plagë të madhe” për familjen. Po ashtu, ajo thekson faktin që ndonëse i biri vuante nga tensioni dhe diabeti, ai bënte 5 orë rrugë për nxënësit e tij, një sakrificë e rrallë për kohën e sotme.
“Na hape një plagë të madhe o Alban, o gojë ëmbli me të gjithë, që nuk do të na mbyllet kurrë, kurrë o zemra, o shpirti, o trimi jonë, o mbreti ynë Alban, emri më i bukur në botë! Po pse o Zot na e more djalin e vetëm. Pse? Po ti, ike në moshën më të bukur, sa mbushe 52 vjet o ylli jonë. Punove 6 vjet si mësues në fshatin më të largët të Maliqit, në Gribec e tani në Marjan dhe nuk u ankove kurrë o shpirt që të bëjë në këmbë rrugën më të gjatë, 5 orë, duke ditur që kishe diabet e tension dhe nuk e le punën, në shi e në borë, se të prisnin nxënësit...!”, shkruhet në mesazhin e ndjerë të nënës.
“O zemra jonë, i shtrenjti ynë, po ne e dinim se të donim vetëm ne, po ty të paksan dashur, të gjithë, miqësia, shoqëria, i gjithë Devolli, kudo që ishin, nga i gjithë vendi kanë shkruar për ty o trimi jonë, për vlerat e punës tënde fisnike, që më re në krye të detyrës afër shkollës...”, vijon mesazhi i saj.
(A2 Televizion)