Një përfaqësi e komunitetit egjiptian të Elbasanit, së bashku me avokatin e tyre, kanë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Elbasanit kryeplakun e fshatit Katjel të Bashkisë së Prrenjasit, i cili, sipas tyre, ka refuzuar të varrosë në varrëzat e fshatit një grua 63-vjeçare të komunitetit egjiptian, që ndërroi jetë në atë fshat.
Në lidhje me këtë ngjarje kanë shprehur shqetësimin e vet përfaqësuesit e komunitetit egjiptian.
Sakaq, A2 ka kontaktuar kryetarin e njësisë administrative të Rrajcës që përfshin fshatin Katjel, sipas të cilit refuzimi për varrosjen e të ndjerës nga komuniteti egjiptian ka ardhur nga banorët autoktonë të fshatit dhe jo nga përfaqësuesit e pushtetit lokal.
Këto të fundit për të shmangur këtë konflikt kanë kryer ceremoninë e varrimit në varrezat e Prrenjasit, me të gjitha shpenzimet shtetërore.
Ndërkohë, i takon Prokurorisë së Elbasanit që të zbardhë plotësisht këtë ngjarje dhe rolin e përfaqësuesve të pushtetit lokal. (A2 Televizion)