Ndërsa vendi ka hyrë në ethet e votimeve parlamentare, turistët e huaj në Vlorë shijojnë çmimet, diellin dhe natyrisht bukuritë dhe historinë e qytetit.
Në këtë periudhë grupet e turistëve i përkasin kryesisht moshës së tretë që shfrytëzojnë në radhë të parë temperaturat e përshtatshme për këtë moshë, por edhe çmimet që janë më të lira sesa në kulmin e sezonit veror, shkruan A2.
Pavarësisht moshës, turistët nuk janë vetëm nga Europa, por edhe nga Afrika dhe Arabia. Ata që e vizitojnë për herë të parë Vlorën nuk fshehin përshtypjet pozitive dhe dëshirën për t’u rikthyer apo për t’ua sugjeruar miqve dhe të afërmve të tyre.
Sipas turoperatorëve, interesi i vizitorëve të huaj në këtë periudhë në Vlorë rezulton më i lartë se viti i kaluar duke premtuar një sezon edhe më të mirë se ai i vitit të kaluar. (A2 Televizion)