Sezoni i gripit sapo ka filluar. Instituti i Shëndetit publik konfirmon rastet e para për këtë sezon me gripin e tipit A. Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Ishp, tregon se shenjat e virusit të gripit aktualisht janë shumë të ngjashme me ato të COVID-19.
Ky i fundit ende po dominon ndaj gripit dhe virozave të tjera në qarkullim. Bino tregon për A2 se edhe ky dimër do të jetë i ngarkuar sa i përket situatës epidemiologjike.
Në stinën e ftohtë pritet të ketë qarkullim të gripit, nën tipeve të tij, prani të COVID-19 dhe viruseve të tjera respiratore. Ashtu si COVID-19 edhe gripi mund të rezultojë fatal për personat me imunitete te dobët apo të sëmurët kronike.
Silva Bino rekomandon kryerjen e vaksinës së gripit dhe COVID njëherësh, pavarësisht sa doza mund të keni marrë më herët. Instituti i shëndetit publik po kryen identifikimin e nëntipeve të gripit në qarkullim. Ndërkohë në qendrat shëndetësore vijon kryerja e vaksinës së gripit e cila në përmbajtjen e saj ka dhe shtamin e tipit A tashmë prezent në vendin tonë. Këtë vit vihet re një kërkesë e shtuar nga popullata për vaksinën e gripit, ndërsa e kundërta po ndodh me dozat anti-COVID. (A2 Televizion)