“New year, new me”. Një nga frazat që dëgjojmë më shpesh në fillim të çdo viti. Shumë njerëz mbushin palestrat dhe vendosin objektiva të rinj për trupin dhe stilin e jetesës. Entuziazmi është i madh… por sa zgjat ai në të vërtetë?
“Ditëve të para të janarit shumë njerëz i premtojnë vetes trupin e ëndrrave. Bëjnë abonime 6-mujore apo edhe njëvjeçare për të motivuar veten, por shpesh kjo zgjat vetëm dy javët e para dhe më pas e lënë”, thotë Salio Diva, trajner palestre.
“Shumë e shohin si objektiv afatshkurtër, jo si mënyrë jetese. Pastaj vijnë justifikimet: përtacia, mungesa e kohës, oraret e zgjatura të punës apo lodhja”, tha Marsi Jangozi, trajnere palestre.
Megjithatë, për disa njerëz palestra kthehet në diçka më shumë sesa thjesht një vend për të mbajtur trupin në formë.
“Kam pasur një kliente që kaloi periudhën e post-partum, kishte shtuar shumë në peshë. Arritëm rezultate dhe më pas palestra iu kthye në mënyrë jetese. Përveç shëndetit fizik, e ndihmoi shumë edhe psikologjikisht”, thotë trajnerja.
“Kam pasur një kliente që stresin e përballonte përmes ushqimit. Shtoi shumë kilogramë dhe ishte shumë keq psikologjikisht. Bëmë shumë progres dhe më pas më dërgonte mesazhe si: “Ma ndryshove jetën”. Ndihej shumë më mirë me veten. Për mua ishte një kënaqësi e madhe të dija se kisha ndikuar në jetën e dikujt”, thotë Salio Diva.
Mes peshave dhe ushtrimeve, shpesh ka vend edhe për pak humor.
“Videot kanë nisur nga momentet tona në palestër. Kështu afrohemi më shumë me klientët dhe nuk dukemi gjithmonë kaq seriozë”
“Shërbejnë edhe për të tërhequr klientelë. Tregojmë rezultatet, por edhe faktin që trajneri nuk është gjithmonë strikt dhe serioz. Krijohet një atmosferë më pozitive”.
Të jesh trajner palestre nuk është e lehtë. Dhe të jesh trajnere femër, shpesh vjen edhe me sfidat e veta.
“E vështirë nuk është, ka pasur situate te sikletshme sa të duash, por e kaloj me një të qeshur me një batute”, thotë trajnerja.
Dhe meqë ende jemi në muajin e agjërimit, justifikime për të lënë palestrën nuk ka. Marsi dhe Salio agjërojnë të dy dhe tregojnë se si stërvitja mund të vazhdojë edhe gjatë kësaj periudhe, duke përshtatur ushtrimet dhe rutinën ushqimore.
“Nuk besoj se është faktor për justifikim sepse edhe unë vetë agjëroj. Duhet të ulësh intensiteti e ushtrimeve, të shikosh rutinën ushqimore, për shembull. Në iftar mund të hash pilaf, fileto dhe fruta të thata. Në vaktin e dytë rreth orës nëntë e gjysmë mund të hash patate furrë dhe mish të kuq ose peshk, në syfyr mund të hash hurma arabe dhe dy vezë e një frutë stine”, thotë trajneri. (A2 Televizion)