Zona pyjore e Drenovës në Mallakastër vijon të digjet në ditën e katërt nga zjarret që kanë filluar që mbrëmjen e së dielës së kaluar.
Në vend, përveç forcave zjarrfikëse dhe atyre të ushtrisë, ka zbritur edhe vetë drejtuesi i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili ka parë nga afër situatën dhe operacionet e filluara nga ajri për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit, që kanë djegur disa qindra hektarë sipërfaqe me bimësi të ndryshme, shkruan A2.
Nisur nga situata jo vetëm në Drenovë, por edhe në zona të tjera të vendit, Çako u ka bërë apel institucioneve ligjzbatuese që të jenë më të ashpër dhe të thellojnë hetimet me personat që ndezin zjarre, me dashje apo pa dashje.
Çako ka kërkuar një angazhim dhe bashkëpunim më të madh edhe nga strukturat vendore në rastet e zjarreve, pasi, sipas tij, nuk mund të operohet nga ajri në të gjithë territorin e vendit. (A2 Televizion)