Transporti publik falas për pensionistët nis në 1 janar, por ende nuk dihen detajet si do funksionojë

Nga Anxhela Celibashi
3 Shtator 2024, 15:26 | Sociale

Nga 1 janari 2025 është premtuar se pensionistët në Tiranë do e përfitojnë falas transportin me urban. Vendimi u bë publik nga Bashkia e Tiranës, por aktualisht nuk janë përcaktuar ende modalitetet se si do të funksionojë apo zbatohet në praktikë ky vendim.

Kreu i shoqatës së transportit publik, Dashnor Memaj, thotë se ende nuk është diskutuar asgjë konkrete, i pa qartë është fondi, por edhe mënyra se si do aplikohet. Një mënyrë përfitimi thotë Memaj, është duke përdorur kartën e pensionit.

Me këtë nismë janë njohur thuajse pjesa më e madhe e qytetarëve, por jo të gjithë besojnë se kjo do të realizohet. Disa të moshuar thonë se nuk e përdorin çdo ditë urbanin, por megjithatë nëse do të realizohet do të jetë një ndihmë për ta, raporton A2 CNN.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në Shqipëri gjatë vitit 2023 ishin rreth 705 000 pensionistë, por ende nuk janë të qarta shifrat e atyre që janë banorë të Tiranë, që gjithsesi nisur nga numri i popullsisë duhet të ketë edhe numrin më të madh të pensionistëve ne vend. Aktualisht në kryeqytet udhëtimin falas e përfitojnë invalidët dhe studentët të pajisur me dokumentin e duhur të identifikimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos