Natyra ka falur gjithçka që njeriu ta kthejë në të mirë për të, por edhe pse janë reklamuar për vite me radhë, nuk është bërë thuajse asgjë sa i takon infrastrukturës, në mënyrë që monumentet natyrore të qarkut të Kukësit të vizitohen më lehtë nga turistët vendas dhe të huaj.
Kamera e A2 CNN u ngjit te “Guri i Mëngjesit”, 1940 metra mbi nivelin e detit, natyrisht vetëm një mjet i lartë fuoristradë mund të arrijë në këtë mrekulli të natyrës, e cila nuk është e vetme në këto anë. Liqeni i Kallaballëkut, Shtegu i Ngjyrave dhe afërsia me malin e Korabit, janë disa nga panoramat që kënaqin dhe mahisin syrin e çdo vizitori veçanërisht të atyre që vijnë për herë të parë.
Mirëpo, fatkeqësisht infrastruktura e dobët ka bërë që këto vende të vizitohen shumë pak. “Guri i Mëngjesit” takuam Fitoren dhe Manjolën të cilat kishin ardhur në këmbë dhe tregojnë atë që përjetuan.
Ndërsa pak më poshtë Merita me nënën e saj kishin ardhur nga Tirana për të vizituar vendlindjen. Ndaluan te një restorant i zonës, i cili nuk ishte në funksion dhe përveç natyrës, për nënë e bijë gjithçka tjetër ishte zhgënjyese
Ka ardhur koha që vetëm promovimi me atë që ka bërë natyra, pa kryer asnjë investim në infrastrukturë dhe shërbime, nuk mjafton. Një rrugë më e mirë do të thotë më shumë vizitorë dhe më shumë të ardhura për këtë zonë, që po vijon të braktiset. (A2 Televizion)