Natyra ka falur gjithçka që njeriu ta kthejë në të mirë për të. Por, edhe pse janë reklamuar për vite me radhë, nuk është bërë thuajse asgjë sa i takon infrastrukturës, në mënyrë që monumentet natyrore të Qarkut të Kukësit të vizitohen më lehtë nga turistët vendas dhe të huaj.
Kamera e A2 CNN u ngjit tek Guri i Mëngjesit, 1940 metra mbi nivelin e detit. Natyrisht, vetëm një mjet i lartë fuoristradë mund të arrijë në këtë mrekulli të natyrës, e cila nuk është e vetme në këto anë. Liqeni i Kallaballëkut, shtegu i ngjyrave dhe afërsia me malin e Korabit, janë disa nga panoramat që kënaqin dhe mahnisin syrin e çdo vizitori, vëçanërisht të atyre që vijnë për herë të parë.
Por, fatkeqësisht infrastruktura e dobët ka bërë që këto vende të vizitohen shumë pak. Te guri i mëngjesit takuam Fitroren dhe Manjolën, të cilat kishin ardhur në këmbë dhe tregojnë atë që përjetuan.
Ndërsa pak më poshtë Merita me nënën e saj kishin ardhur nga Tirana për të vizituar vendlindjen. Ndaluan tek një restorant i zonës, i cili nuk ishte në funksion dhe përveç natyrës, për nënë e bijë gjithçka tjetër ishte zhgënjyese.
Ka ardhur koha që vetëm promovimi me atë që ka bërë natyra, pa kryer asnjë investim në infrastrukturë dhe shërbime, nuk mjafton. Një rrugë më e mirë do të thotë më shumë vizitorë dhe më shumë të ardhura për këtë zonë, që po vijon të braktiset. (A2 Televizion)