80-vjetori i gjenocidit grek, PDIU: Greqia të kërkojë falje, të respektohen jetët e humbura

Nga Marinela Lina
23 Qershor 2024, 14:49 | Sociale

PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë”, në Kllogjer në Konispol. 

Në fjalën e tij, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi shprehu keqardhjen për qëndrimet e Greqisë ndaj çështjes çame dhe ligjit të luftës. Ai tha se pret falje publike nga shteti fqinj, duke kërkuar dhe gjetjen e një zgjidhjeje.

“Prezenca jonë këtu sot, apo në të gjitha këto aktivitetet që kemi bërë këto 5 muaj, këto varreza monumentale na e bëjnë edhe më të ndjeshme, sikur ky gjenocid ka ndodhur 2 vjet më parë dhe jo 80 vjet më parë. Sepse gjenocidi nuk njeh moshë. Asgjë e mirë nuk mund të lindë nga gjenocidi e nga padrejtësia pa kërkuar falje e pa e kuruar atë. Falja është hyjnore. Dhe kjo është ajo që ne kërkojmë nga shteti fqinj”, tha Idrizi.

Ndërsa Mesila Doda u shpreh: “Ne kërkojmë respektimin e atyre që humbën jetën gjatë masakrave. Kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut, atyre të drejtave që janë sot në konventat ndërkombëtare. Politika shqiptare të mos trembet. Asgjë nuk mund të ndodhë e asgjë s’do të ndodhë. Sepse ky nuk është muri i harresës, është muri i trëndafilave”.

Për ish-kryenegociatoren e Kosovës, politikanen Edita Tahiri, ndërtimi i varrezave të Kllogjerit është një hap i vogël për kujtesën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Nën tingujt e marshit funebër, të gjithë pjesëmarrësit vendosën trëndafila në memorialin e gurëve, si shenjë kujtimi e humbjes së jetës së të afërmve dhe njërëzve të tyre të dashur, që humbën jetën padrejtësisht 80 vjet më parë për shkak të gjenocidit grek. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos