Elbasani edhe këtë vit është shndërruar në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës. Plot ngjyra, thërrasin të mirat dhe begatinë.
Gledian Llatja, kryetari i Bashkisë Elbasan, u shpreh: “Dita e Verës bëhet në Elbasan dhe patjetër që Elbasani është kryeqendra e Ditës së Verës. Për të gjithë qytetarët e Elbasanit ju urojmë gëzuar Ditën e Verës, qoftë e mbarë me begati dhe plot shëndet në familjet e tyre. Ne kështu dimë ta festojmë Ditën e Verës, me gëzim, me hare dhe me miq të mirë”.
Urimeve për festën i është bashkuar edhe drejtuesi politik, Arbjan Mazniku: “Dita e Verës është një festë e jashtëzakonshme, shumë e vjetër. Fakti që kjo festë vazhdon në mënyrë sistematike dhe festohet në Elbasan me një hare të tillë ku vijnë njerëz nga e gjithë Shqipëria, është shenjë e qartë e faktit që rrënjët e kësaj feste dhe rrënjët e kësaj tradite janë shumë të thella në këto treva, në këtë zonë. Dhe ky është momenti kur lëmë pas dimrin duke parë përpara nga vera, nga çelja e gjetheve, ardhja e begatisë. Unë besoj se këtë vit kemi një seri lajmesh të mira me rikualifikimin e Kalasë, rikthimin e saj në një qendër për turizmin, jo vetëm të Elbasanit, por të rajonit të gjithë Shqipërisë. Plus me projekte të mëdha të infrastrukturës që do ta rikthejnë Elbasanin aty ku i takon, në qendër të Shqipërisë, jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ana e ndërlidhjes. Por, mbi të gjitha, si një pikë që do të tërheqë këtu një numër shumë të madh turistësh, jo vetëm për Ditën e Verës, por për të gjithë sezonin, çka do të ndikojë në ekonominë dhe zhvillimin e qytetit. Kështu që është një moment shumë i mirë për t'ju uruar të gjithëve Ditën e Verës dhe për të parë përpara me shpresë një seri projektesh të Elbasanit 2030”.
Elbasani sot ka mirëpritur mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët po shijojnë atmosferën festive, traditat dhe aktivitetet kulturore të organizuara nga Bashkia Elbasan. (A2 Televizion)