
Nedim Bajrami është prezantuar zyrtarisht si futbollisti më i ri i skuadrës së Sassuolos. Për faqen zyrtare të klubit, fantazisti shqiptar tregoi pse bëri këtë zgjedhje, ndërsa theksoi se do të japë maksimumin për të përmbushur objektivat e klubit.
‘’Zgjodha Sassuolo-n sepse është një ekip i rëndësishëm, me një trajner që e njihja më parë. Kam folur me të dhe janë djem të tjerë që njoh në skuadër dhe ata më bindën. Është një ambient si Empoli, me të rinj që dinë të luajnë futboll dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Synoj të ndihmoj sa më shumë ekipin. Të bëj sa më shumë gola dhe të dhuroj sa më shumë asiste’’, tha Bajrami.
Mes të tjerash, Nedim Bajrami tregoi si e mori ftesën zyrtare nga kombëtarja shqiptare.
‘’Kam qenë në sektorin e të rinjve me Kombëtaren e Zvicrës. Pastaj mora telefonatë nga Edi Reja dhe më pyeti nëse dëshiroja të vija të luaja për Shqipërinë. Fola me familjen time dhe në fund zgjodha me zemër për Shqipërinë. Jam i lumtur dhe krenar që luaj për Shqipërinë, momenti i veçantë ishte debutimi kundër Hungarisë dhe ndeshja kundër Italisë‘’, shtoi fantazisti.
Debutimin e tij me fanellën e Sassuolos, Nedim Bajrami e bëri që javën e kaluar në fitoren minimale përballë Atalantës. (A2 Televizion)