Provincat në veri të Turqisë janë duke u përballur me përmbytje masive dhe rrëshqitje të tokës. Deri mesditën e së enjtes u konfirmuan 9 persona të vdekur, ndërsa një person është shpallur i zhdukur pasi përfundoi në ujin e rrëmbyer të një përroi.
Autoritetet kanë dhënë alarmin se reshjet e dendura të shiut pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Zëvendësministri i Brendshëm i Turqisë, Muhterem İnce, në një deklaratë për përmbytjet në provincat e rajonit të Detit të Zi, u shpreh se mbi 600 persona u evakuuan me helikopter, por edhe me automjete nga toka.
Nga pamjet e shpërndara nga mediat turke, shumë shtëpi duken të zhytura nën ujë në Kastamonu. Grupet e kërkim-shpëtimit janë në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur, ndërsa po përdorin edhe mjete lundruese për të lëvizur në zonët e përmbytura. (A2 Televizion)