Talebanët i afrohen Kabulit, pushtojnë qytetin strategjik të Ghazni-t

Nga A2 CNN
12 Gusht 2021, 14:11 | Bota
Talebanët i afrohen Kabulit, pushtojnë qytetin strategjik të

Talebanët pushtuan qytetin me rëndësi strategjike të Ghazni, kryeqendra e 10-të rajonale që bie në duart e militantëve në më pak se një javë. Ghazni gjendet vetëm 150 km larg Kabulit dhe lidh bastionet e militantëve në jug, me kryeqytetin e vendit.

Forcat e sigurisë afgane arrestuan guvernatorin e Ghazni dhe zëvendësin e tij, të cilët u arratisën nga qyteti. Pushtimi i zonës strategjike, rrit mundësinë që talebanët të ngrenë flamurin edhe në Kabul, çka do të shënonte përmbysjen e qeverisë.

Zyrtarë amerikanë të cituar nga mediat vendase, thonë se Kabuli mund të bjerë brenda 90 ditëve. Gati një e treta e 34 kryeqyteteve rajonale janë tani në duart e talebanëve.

“Kemi pushtuar gati të gjithë qytetin e Farah. Përvec drejtorisë kombëtare të sigurisë, i gjithë qyteti është në duart tona”, thotë një taleban i paidentifikuar.

Militantët po avancojnë me shpejtësi duke pushtuar çdo ditë territore të reja, pasi Shtetet e Bashkuara dhe trupa të forcave aleate u tërhoqën pas 20 vitesh operacione ushtarake. Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Kandahar.

Më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë në afganistan gjatë muajit të fundit, e shumë të tjerë janë shpërngulur nga banesat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos