Koalicioni i përbërë nga Komisioni i Rithemelimit, LSI-në, Partinë Demokristiane dhe parti të tjera opozitare që ende nuk kanë zyrtarizuar pjesëmarrjen, pas emërtimit "Shtëpia e Lirisë" , tashmë kanë edhe logon e tyre.
Koalicioni bëhet në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki të vendit, Shkodër, Vorë, Rrogozhinë, Durrës, Lushnjë dhe Dibër.

Në dokumentin e marrëveshjes së shpërndarë, thuhet se partitë po bashkohen “për të garantuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme” dhe “për të sjellë ndryshim në vend”. Shkronjat nistore të koalicionit do të jenë SH-L.

Në dokument sqarohet se drejtuese politike e koalicionit do të jetë “Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”.
Logoja e shpërndarë paraqet emërtimin “Shtëpia e Lirisë” në pjesën e sipërme, dhe flamurin kombëtar në pjesën e poshtme. Ditën e djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha, prezantoi në një konferencë kandidatët e Rithemelimit për zgjedhjet e pjesshme, dhe njoftoi që së shpejti do të bëjë një koalicion me disa parti, ku do të prezantojë edhe logon e re. (A2 Televizion)