Policia e Nju Jorkut ka zbuluar rreth 100 trupa të pajetë në një shtëpi funerale në Bruklin, pas telefonatave të fqinjëve që ankoheshin për erën e keqe që vinte nga aty prej disa javësh.
Autoritetet gjetën dy kamionë me dhoma frigoriferike që po përdoreshin për të ruajtur trupat e pajetë jashtë shtëpisë funerale. Burime policore thanë për CNN se shtëpia funerale ishte e tejmbushur me trupa të pajetë, të cilët ishin në radhë për t’u futur në kremator, dhe kishte vendosur t’i ruante nëpër kamionë.
Por të paktën njëri prej frigoriferëve nuk ishte në punë, sipas një zyrtari të policisë, i cili shtoi se aty ishte vendosur akull për të shmangur dekompozimin.
CNN mundi të kontaktonte me shtëpinë funerale përmes telefonit, por një person, i cili tha se ishte pronari, nuk pranoi të komentonte mbi incidentin.
Një burim tha për CNN se ky ishte një veprim që po e bënin thuajse të gjitha shtëpitë funerale në Nju Jork, për të përballuar fluksin e lartë të vdekjeve në këtë periudhë, kryesisht për shkak të koronavirusit.
Qyteti i Nju Jorkut dhe i gjithë shteti, kanë qenë ndër më të prekurit nga Covid-19, me mbi 17500 viktima të konfirmuara deri tani
Edhe pse kamionët me dhoma frigoriferike lejohet të përdoren nga shtëpitë funerale nëse janë të tejmbushura, sipas autoriteteve lokale ato janë të detyruara të ruajnë trupat në gjendje të mirë deri në momentin e futjes në kremator. (A2 Televizion)