
Edhe në një ditë të mirë, trafiku në New Delhi mund të jetë katastrofik. Por këtu në kryeqytetin e vendit më të ndotur të botës, ndryshimet dramatike janë në ajër dhe në rrugët e zhurmshme. Sa hap e mbyll sytë, makinat ikonike indiane si Rickshaw janë shndërruar në elektrike.
“India është në mes të një revolucioni: Në tranzicion drejt adoptimit të automjeteve elektrike. Ky transformim po udhëhiqet nga makinat e vogla, skuterët, motoçikletat dhe automjete si këto”, shprehet korrespondenti i CNN, Watson.
Mjetet me dy rrota tejkalojnë numrin e makinave në rrugët e Indisë. Vitin e kaluar janë shitur më shumë se 15 milionë njësi. Ekspertët thonë se ky shtet është një nga tregjet më të mëdha në botë të mjeteve me dy rrota.
“India është përdoruesi më i madh i mjeteve me dy rrota. Gjithashtu motoçikletat janë ndotësit më të mëdhenj në Indi”, tha themeluesi i “Ather Energy”.
Tarun Mehta është drejtuesi i një kompanie të krijuar në vitin 2013. Fabrika e tij jashtë Bangalore prodhon skutera elektrikë.
“Kjo është vetëm një nga 10 kompanitë që prodhojnë dy-rrotake elektrike në Indi. Drejtuesit thonë se nuk po shesin jashtë Indisë, pasi thjeshtë nuk e kanë të nevojshme”, shton Ëatson.
Shitjet në Ather kanë arritur kulmin. Nga vetëm 200 skutera në muaj në vitin 2020, në mbi 15 mijë në muaj. Skuterët elektrikë kushtojnë 30 për qind më shumë se ata me karburant… Megjithatë, konsumatorët indianë po përqafojnë në masë këtë teknologji të re.
“Parashikojmë se numri total i tregut të mjeteve me dy rrota në vitin 2030 do të jetë rreth 25 milionë njësi. Rreth 60 apo 70 për qind e atyre njësive do të jenë elektrike” tha Brajesh Chhibber nga McKinsey & Company”.
India është vendi i disa prej qyteteve më të ndotura të botës. Ekspertët pajtohen se elektrifikimi i automjeteve në atë shtet mund të jetë diçka e mirë për mjedisin. (A2 Televizion)