
Partia Demokratike vijon të kërkojë shtimin e numrit të testimeve. Demokratët vleresojnë se centralizimi i testimit vetëm në strukturat shtetërore, bën që qeveria të mos ketë kapacitetet teknike për të avancuar në këtë proces në mënyrë që të gjurmohen personat e prekur e të ndërpritet zinxhiri i transmetimit të virusit.
“E vërteta është se Shqipëria jo vetëm nuk ka një sasi të tillë për të kryer 2 mijë teste në ditë, siç thotë Edi Rama, por, për shkak të centralizimit nga qeveria në një laborator të vetëm, nuk ka as kapacitetet teknike për të bërë më shumë se 500 teste në ditë. E vërteta është se numri i pamjaftueshëm i testeve na ka detyruar që, deri javën e kaluar, të bëjmë mesatarisht, 50 teste në ditë, duke ulur në minimum mundësitë për të zbuluar raste apo vatra të reja infeksioni”, tha ish-deputeti i PD, Bardh Spahia.
“Gënjeshtrat e Edi Ramës janë të rrezikshme. Numri i vogël i testimeve fsheh përhapjen reale të virusit. Sa më pak testime, aq më e pakët mundësia për të izoluar virusin dhe për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së tij. Me urimin që sasia e re e furnizimit me kite testuese të vijë sa më shpejt dhe duke falënderuar partnerët tanë për ndihmën e madhe që po na japin, Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të rrisë numrin e testimeve mes qytetarëve. Kështu do të dimë përmasën reale të dëmit të shkaktuar, të papenguar nga gënjeshtrat e kryeministrit dhe do të kuptojmë më mirë se kur mund të kthehemi në normalitet”. (A2 Televizion)