
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përpiqet të heqë vëmendjen nga skandali i këshilltarit të kryeministrit, Boris Johnson, i cili theu rregullat e karantinës.
Downing Street bëri me dije se do të lehtësojë sërish masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri.
Disa nxënës do të rikthehen në shkollat fillore me 1 qershor, por sindikata e mësuesve ka shprehur shqetësim të madh lidhur me sigurinë e kthimit të nxënësve në këtë fazë kaq të hershme.
Si pjesë e rihapjes së ekonomisë britanike do të kthehen në aktivitet mijëra dyqane dhe qendra tregtare, duke nisur nga muaji i ardhshëm. Gjithashtu do të ngrenë qepenat edhe kioskat në rrugë si dhe pikat që tregtojnë makina.
Gjithashtu është parashikuar edhe rihapja e të gjithë bizneseve të tjera me 15 qershor, por as këto njoftime nuk zbehën polemikat e krijuara nga ndihmësi i Johnson. Ligjvënës britanikë, anëtarë të Kishës, oficerë policisë dhe shkencëtarë të ndryshëm theksojnë se veprimet e Dominik Komings kanë minuar mesazhet e qeverisë lidhur me frenimin e koronavirusit. Ndryshe mendon ekzekutivi i Londrës, që njofton se zyrtari nuk do të hiqet nga posti që mban.
“Mendoj se shumica e njerëzve do ta kuptojnë se ai ishte nën presion dhe vendosi me përparësi shëndetin e bashkëshortes dhe djalit. Ata u siguruan si familje që të mos rrezikonin të infektonin personat e tjerë”, u shpreh Michael Gove, ministër për kabinetin qeveritar.
Sigurisht pati dhe pjesëtarë të qeverisë Johnson që menduan ndryshe. Douglas Ross, zyrtar i zyrës ministrore për Skocinë dha dorëheqjen dhe theksoi se ka pasur raste edhe më të vështira se ai i këshilltarit Komings, ku të afërmit nuk kanë mundur t’u thonë lamtumirën e fundit të dashurve të tyre pasi respektuan masat kufizuese. (A2 Televizion)