Tre muaj pasi garuan bashkë në zgjedhje me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani nuk kanë më asgjë të përbashkët. Krisja, e nisur disa ditë më parë prej kandidatit të listës së mbyllur të koalicionit, Zeqir Kordhoni, i afërm i Shabanit, interesimi i të cilit në KQZ vuri në rrezik mandatin e Adriatik Lapajt, u shndërrua në çarje të plotë këtë të mërkurë.
Kordhoni iu drejtua me shkresë KQZ-së, ku shprehte vullnetin për të pranuar mandatin nëse shpallej fitues. Ndërkohë, para zgjedhjeve, të gjithë kandidatët në listën e mbyllur të koalicionit – kryesisht familjarë të anëtarëve të dy partive – u zotuan para noterit se nuk do ta pranonin mandatin, në mënyrë që në parlament të hynin ata që merrnin më shumë vota nga lista e hapur, shkruan A2 CNN.
Referuar rezultatit zgjedhor, drita jeshile hapej për Lapajn. Shfaqja e dëshirës së Kordonit për të marrë të vetmen karrige të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ngjalli një përplasje të fortë në distancë mes Lapajt dhe Shabanit.
Adriatik Lapaj pretendoi se ndaj lëvizjes “Shqipëria Bëhet” po bëhej një padrejtësi dhe se “e gjithë këneta ishte angazhuar që ai të mos shkonte në Kuvend”.
“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij, Endri Shabani, të cilit i shtriva dorën e bashkimit, nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament!”, u shpreh Lapaj, duke i barazuar me kundërshtarët e tij tradicionalë Ramën, Saliun dhe “të rinjtë” në thonjëza që kishte futur në gjyq.
Në reagimin e tij të parë, Endri Shabani i “Nismës Thurje” ironizoi me vargjet:
“Mora pushkën dola malit, të luftonim për atdhe,
ku ta dinim ne të varfërit, se armiku ishim ne.”
Më vonë, në një tjetër postim, ai shprehu keqardhje për atë që e quante “deklaratë të nxituar të Lapajt”.
Në vijim, Shabani pretendoi se mandati i koalicionit nuk kishte qenë kurrë i Adriatikut, pasi ai nuk kishte marrë totalin e kërkuar për një mandat në Tiranë. Më tej, ai i kujtoi Lapajt deklaratat publike ku ishte zotuar se nëse do të fitonin vetëm një mandat, ai nuk do ta merrte atë. Në fund, Shabani pretendoi se partneri i tij politik kishte kërcënuar të afërmin Kordhoni.
“Të jem i sinqertë, unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si, akoma pa pushtet, këta janë të gatshëm të kërcënojnë fëmijët, nuk di çfarë të them. Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet,” u shpreh Shabani.
Deri më tani, koalicioni parazgjedhor mes Lapajt dhe Shabanit ka të qartë vetëm një mandat në Kuvend, por jo emrin që do ta përfaqësojë. (A2 Televizion)