
Kompanitë e punëve publike të kontraktuara në kuadër të programit të rindërtimit do të kompensohen për rritjen e çmimeve të lëndëve të para. Në Fletoren Zyrtare është botuar Akti Normativ i qeverisë që parashikon kompensim nga 5 deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut.
Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për procesin e kompensimit të kompanive të punëve publike arrin vlerën e 7 miliardë lekëve. Akti Normativ i qeverisë përcakton se kompensimi do të zbatohet për kontratat publike për punë, të financuara me fonde të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51% apo me financim të huaj, që përballohen nga fondet e shoqërive me kapital shtetëror, të cilat janë në proces për t’u lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij akti normativ ose në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020.
Për të përfituar kompensimin operatorët duhet të dorëzojnë kërkesën, ku duhet të bashkëngjisin vlerën e parashikuar në kontratë për punimet gjatë 2022, vlerën e parashikuar për përdorimin e materialeve të ndërtimit për vitin 2022 si dhe vlera e kërkuar për kompensim. (A2 Televizion)