
Një ditë pasi zjarri përfshiu zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër ku për pasojë u shënua edhe një viktimë, të gjitha vatrat e zjarrit në këtë qark janë shuar. Lajmin e ka dhënë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai kërkoi bashkëpunimin komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm, ndërsa vlerësoi punën e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve për shuarjen e flakëve.
"Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica të Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm", shkruan Peleshi.
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata po mbahet nën monitorim. Puna nga forcat operacionale po vijon për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Një pjesë e forcave ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivizuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri.
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau i Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, te cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Zjarri në qyteti Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.
Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll.
Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Situata po ndiqet në vijim.
Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i zi, njësia administrative Labinot Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët. Situata edhe këtu është në monitorim. (A2 Televizion)