Tentoi të hynte në Shqipëri, teksa kërkohej nga autoritetet gjermane, arrestohet në Morinë i riu

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 11:21 | Kronikë

Tentoi të hynte në Shqipëri, teksa kërkohej nga autoritetet

Një 27-vjeçar tentoi të hynte në Republikën e Shqipërisë nga Pika kufitare e Morinës, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet gjermane për mashtrim, është arrestuar nga policia.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se i riu nga Kosova ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Mynihut kishte nxjerrë ndaj tij urdhër-arrest ndërkombëtar, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, me maksimum dënimi deri në 10 vjet burg.

“Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, ndaluan në hyrje shtetasin kosovar S. M., 27 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët gjermanë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata lokale e Mynihut kishte nxjerrë ndaj tij urdhër-arrest ndërkombëtar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, me maksimum dënimi deri në 10 vjet burg”, njofton policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 27-vjeçarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos