
Kryeministri Edi Rama njoftoi disa ditë më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjedhur Shqipërinë si bashkëhartuese të qëndrimeve për çështjen e Ukrainës, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Që prej fillimit të këtij viti, Shqipëria është anëtare jo e përhershme në këtë Këshill. Për kryeministrin, i cili udhëton këtë fundjavë në SHBA, ku do të takojë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit në Uashington, përzgjedhja e Shqipërisë është një përgjegjësi e re dhe shumë e madhe, por dhe konfirmim i një pozite tjetër të vendit në arenën ndërkombëtare.
Diplomati Lisien Bashkurti, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se “roli dhe kontributi i Shqipërisë brenda Këshillit të Sigurimit është i një rëndësie të veçantë”, duke marrë parasysh tensionet Ukrainë-Rusi.
“Agjenda e Këshillit të Sigurimit do të jetë shumë e ngarkuar, duke parë situatën mes Ukrainës dhe Rusisë. Do të ketë zgjidhje të ndërlikuara, që përfshijnë anëtarë të përhershëm të Kombeve të Bashkuara, kështu që roli dhe kontributi i Shqipërisë brenda Këshillit të Sigurimit është i një rëndësie të veçantë”, u shpreh Bashkurti.
“Mënyra se si Shqipëria do të përformojë, do të lërë gjurmë gjatë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në imazhin e diplomacisë shqiptare në botë”, shtoi Bashkurti. (A2 Televizion)