Trajneri Jurgen Klopp luante para 5000 tifozëve me skuadrën e kategorisë së dytë gjermane Rot-Weiss Frankfurt. Roberto Baggio thyente rekordin si lojtari më i shtrenjtë, pasi u transferua për 10 milionë euro nga Fiorentina te Juventus. Gary Lineker, sot komentator televiziv, ishte golashënuesi më i mirë, me 24 gola për Tottenham. Margaret Thatcher jepte dorëheqjen si Kryeministre e Anglisë për shkak të problemeve me Bashkimin Europian. Kënga Vogue e Madonna-s renditej në vend të parë në Mbretërinë e Bashkuar. Nelson Mandela lirohej nga burgu pas 27 vitesh. Talenti Trent Alexander-Arnold do të lindte pas 8 vitesh të tjera.
Pas fitimit të Champions League në maj, tani të gjithë presin dhe kërkojnë që Liverpool të fitojë më në fund titullin kampion, që i mungon prej 30 vitesh. 3 dekada në ndjekje të trofeut, i cili herën e fundit që është fituar nga “Reds”-at nuk quhej as Premier League. Në 30 vite përpjekje, shumë lojtarë e trajnerë kanë veshur fanellën e kuqe dhe janë përpjekur të fitojnë kampionatin anglez, por asnjëri nuk ia ka dalë.
Ishte viti 1990, kur me yje si Ian Rush dhe Kenny Daglish fitonte kampionatin. Asokohe, fitimi i titullit kampion ishte diçka normale për Liverpool, pasi kishte arritur vendin e parë 11 herë nga 18 sezone të luajtura nga 1972-73 deri në 1989-90.
Por çfarë ndodhte tjetër në botë që kur klubi anglez ndoshta më i famshëm në botë, shpallej kampion? Një botë ku nuk ekzistonte Facebook dhe telefonat celularë ishin të mëdhenj sa një tullë, ndërsa interneti ishte vetëm një ide.
Nga skuadra e sotme që drejtohet nga Jurgen Klopp, vetëm James Milner, Dejan Lovren dhe Adam Lallana kishin lindur. (A2 Televizion)