
Shqipëria u bë vendi i dytë në Rajon që nisi vaksinimin kundër Covid-19 më 11 janar, 308 ditë pas identifikimit të dy rasteve të para me virusin Sars-Cov-2 dhe 15 ditë pas vendeve të Bashkimit Europian. Atë ditë, në stadiumin “Air Albania”, u vaksinuan 48 mjekë që shërbejnë në spitalet Covid.
Por si ka vijuar procesi i vaksinimit, thelbësor për rikthimin në normalitet? Teksa kanë kaluar 58 ditë që nga nisja, në vend janë administruar 20911 vaksina në total, ose thënë ndryshe rreth 360 doza në ditë. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë të përditësuara deri më 9 mars tregojnë se 19 856 persona kanë marrë një dozë të vaksinës Pfizer ndërsa 1055 kanë marrë të dy dozat.
Ndonëse në planin kombëtar të vaksinimit të popullsisë së Shqipërisë janë përcaktuar qartazi edhe kategoritë me të cilat do nisë dhe mënyrën se si do vijojë procesi, autoritet nisën më 21 shkurt vaksinimin e të cilësuarve “personalitete” mbi 80 vjeç duke se ka thyer përcaktimet e dokumentit strategjik të Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit të Shëndetit Publik. Të dhënat e përditësuara deri më 9 mars tregojnë se janë vaksinuar me një dozë nga vaksina Pfizer 3308 persona mbi 80 vjeç. Të dhënat nga Instituti i Statistike për vitin 2020 tregojnë se në vend janë 81 964 persona mbi 80 vjeç, pra rezulton të jenë vaksinuar rreth 4 për qind e kësaj kategorie.
Nga ana tjetër, me të dhëna të përditësuara deri më 9 mars, rezulton se janë vaksinuar 17603 personel shëndetësor në vend. Nga kjo kategori 16548 kanë marrë vetëm një dozë, ndërsa 1055 kanë marrë të dy dozat. Shqipëria ka në total, 25467 personel shëndetësor dhe mbështetës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
E thënë në përqindje, deri më tani janë vaksinuar me të dy dozat vetëm 4,1 për qind e totalit. Referuar dokumentit i cili përcakton planin e vaksinimit të popullsisë kundër Covid-19, rezulton se procesi është ndarë në katër faza, sipas grupeve parësore.
Në skenarin e parë, Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar se do vaksinohen punonjësit shëndetësore dhe rezidentët në shtëpitë e të moshuarve. Të dhënat nga algoritmi “Our Wold in Data” tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me më pak vaksina kundër Covid-19 të kryera. Deri më tani, janë vaksinuar rreth 0,55 për qind të popullsisë totale, shifër kjo shumëfish më e ulët se Serbia, vend i cili ka vaksinuar rreth 25,73 për qind të popullsisë totale. (A2 Televizion)