
Kur nuk është breshëri, janë ngricat. Atëherë kur shuhen zjarret e mbaron thatësia, vërshojnë përmbytjet. Fermerët shqiptarë janë thuajse gjatë gjithë vitit të ekspozuar ndaj dëmit ekonomik, që shpeshherë çon në faliment. Ky hendek thellohet edhe më tej për shkak të “dorës së padukshme” të institucioneve dhe mungesës së sigurimeve, duke rrezikuar të gjithë zinxhirin e vlerës ushqimore.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ndonëse në rritje vitet e fundit, vlera e sigurimeve në rast fatkeqësish natyrore vijon të mbetet minimaliste, duke mbetur poshtë nivelit të 2 miliard lekëve.
Të dhënat nga AMF tregojnë se gjatë 2020-s është dhënë edhe vlera më e lartë e dëmshpërblimeve si pasojë e zjarreve apo përmbytjeve, duke tejkaluar vlerën e 2.7 miliard lekëve.
Për përfaqësues nga agrikultura, rreziku i lartë i ekspozimit ndaj faktorëve natyrore dhe informaliteti bëjnë që kompanitë e sigurimit të përcaktojnë çmime të larta për sektorin e bujqësisë, çka bën që bujqit të stepen për t’u siguruar.
Për ekspertë, sigurimi në bujqësi e blegtori do të shmangte problemet financiare me të cilat do të përballej fermeri, apo subjekti në rast se do të humbiste pjesërisht, ose totalisht prodhimin e tij duke garantuar kështu stabilitetin financiar nëpërmjet transferimit të riskut tek siguruesi. (A2 Televizion)