Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të enjten zgjati unanimisht "për herë të fundit" një mision paqeruajtës afatgjatë në Liban deri në fund të vitit 2026, kur operacioni do të fillojë një "tërheqje të rregullt dhe të sigurt" njëvjeçare.
Sipas mediave të huaja, Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL), e themeluar në vitin 1978, patrullon kufirin jugor të Libanit me Izraelin.
Këshilli prej 15 anëtarësh miratoi unanimisht një rezolutë të hartuar nga Franca, pasi u arrit një kompromis me Shtetet e Bashkuara, një anëtar i këshillit me të drejtë vetoje.
Këshilli i Sigurimit vendosi "të zgjasë për herë të fundit mandatin e UNIFIL-it", shkruan A2 CNN.
Rezoluta "i kërkon UNIFIL-it të ndërpresë operacionet e tij më 31 dhjetor 2026 dhe të fillojë nga kjo datë dhe brenda një viti tërheqjen e rregullt e të sigurt të personelit të tij, në konsultim të ngushtë me Qeverinë e Libanit, me qëllim që Qeveria e Libanit të jetë ofruesi i vetëm i sigurisë në Libanin jugor".
Kjo do të jetë hera e fundit që Shtetet e Bashkuara do të mbështesin një zgjatje të UNIFIL-it, tha ambasadorja në detyrë e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea. "Mjedisi i sigurisë në Liban është rrënjësisht i ndryshëm nga vetëm një vit më parë, duke krijuar hapësirën që Libani të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha", i tha ajo këshillit. (A2 Televizion)