Nënvarianti BA.2 i koronavirusit është bërë lloji dominues i koronavirusit të ri që po përhapet me shpejtësi, kryesisht në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
Çfarë është BA.2?
BA.2, i njohur gjithashtu si "stealth omicron", konsiderohet një nënvariant i Omicron. Ky nënvariant shfaq disa ndryshime gjenetike shtesë që nuk shihen në versionin fillestar të Omicron, i cili është në vetvete variant i Covid-19.
"Ekspertët po vëzhgojnë nëse BA.2 duhet të klasifikohet dhe të monitorohet veçmas. Për momentin, nënvarianti po monitorohet në nivele lokale dhe në nivele shtetërore”, tha dr. Isaac Ghinai, profesor në Departamentin e Shëndetit Publik të Çikagos.
Sa ngjitës është BA.2?
Sipas disa ekspertëve të shëndetit, BA.2 duket të jetë më i transmetueshëm se Omicron.
"Ka katër mutacione unike që janë të dallueshme në BA.2 dhe që mund të nxisin më shumë transmetueshmërinë në një shkallë ngjitëse prej rreth 30% deri në 50% më të lartë sesa varianti fillestar", tha dr. Gregory Huhn, mjek i sëmundjeve infektive.
Anthony Fauci, tha se BA.2 është rreth 50% deri në 60% më i transmetueshëm se Omicron, por gjithsesi deri më tani nuk shfaq simptoma të rënda. "Ai ka rritur aftësinë e transmetimit. Megjithatë, duke parë rastet e infektuara, simptomat nuk duken të jenë të rënda. Gjithashtu, është parë se imuniteti natyral dhe vaksinat janë efektive ndaj këtij nënvarianti".
Nga ana tjetër, dr. Michael Angarone, profesor në Departamentin e Sëmundjeve Infektive, Northwestern, tha se rritja e transmetimit mund të jetë më e lartë në rast kontakti të ngushtë me të infektuarit, por është ende shumë herët për të thënë.

Cilat janë simptomat e BA.2?
Sipas ekspertëve, simptomat e BA.2 janë të ngjashme me ato të variantit origjinal të Omicron.
Simptomat e një infeksioni të lehtë BA.2 janë:
- Kollë
- Ethe
- Lodhje
- Shumë rrallë humbje e shijes ose nuhatjes
- Rrjedhje hundësh
- Probleme gastrointestinale
- Dhimbje koke
- Skuqje të lëkurës
Simptomat më serioze mund të përfshijnë probleme me frymëmarrjen, dhimbje të vazhdueshme në kraharor, lodhje dhe humbje e energjisë, lëkurë e zbehtë etj.
Ashtu si variantet e mëparshme të Covid jo të gjithë pacientët po përjetojnë të gjitha simptomat dhe janë raportuar shqetësime të ndryshme.
A funksionojnë vaksinat kundër BA.2?
Të dhënat paraprake tregojnë se vaksinat dhe imuniteti natyral janë efektivë në parandalimin e rasteve simptomatike të BA.2. Gjithsesi, prodhuesi i Moderna po kërkon autorizimin e një doze të katërt të vaksinës, si një dozë përforcuese për të gjithë të rriturit, por sidomos për të moshuarit apo të sëmurët.
Sipas një studimi të publikuar në artikullin e Nature, njerëzit e vaksinuar me dy doza Pfizer–BioNTech ose Moderna gëzonin disa muaj mbrojtje kundër variantit Omicron ose nënvariantit BA.2. (A2 Televizion)